HAPET PROCESI I APLIKIMIT PËR PJESËMARRJE NË AKADEMINË E OJF-VE 2017!

Akademia e OJF-ve vjen për të tretin vit radhazi, si një program i konsoliduar i cili ofron mundësi edukimi dhe zhvillimi për drejtues të OJF-ve në të gjithë vendin, nëpërmjet metodave më bashkëkohore të të mësuarit dhe përvojave shumëdimensionale të shkëmbimit të eksperiencave.

Gjatë dy viteve të fundit, 42 drejtues organizatash jofitimprurëse përfituan njohuri dhe aftësi, mundësi bashkëpunimi, rrjetëzimi dhe partneriteti me organizata të ngjashme brenda dhe jashtë vendit. Nëpërmjet një programi vijues asistence dhe mentorimi, OJF-të pjesëmarrëse do të udhëhiqen drejt zbatimit efektiv të njohurive dhe aftësive të fituara në Akademi.

Inkurajojmë të aplikojnë në këtë Akademi drejtues të OJF-ve shqiptare në pozicionet: Drejtor Ekzekutiv, Manaxher Programi dhe Kryetar Bordi/Kryesie, të cilët synojnë rritjen e aftësive dhe zhvillimin e tyre profesional në këtë sektor për të ndërtuar organizata efektive në shërbim të publikut dhe grupeve të interesit.

Ju lutemi lexoni Broshurën e Akademisë për t’u informuar rreth përmbajtjes së programit, procesit dhe kritereve të aplikimit.

Afati i fundit për dorëzimin e Formës së Aplikimit është data 3 shkurt 2017!
Për informacione shtesë, luteni të kontaktoni Jonida Alite, Drejtore e Trajnimeve, në: jalite@partnersalbania.org