Partnerët Shqipëri shpall konkursin Çmimi i Filantropisë 2014!

Foto_CmimiPartnerët Shqipëri shpall hapjen e konkursit Çmimi i Filantropisë 2014.

Ky aktivitet i përvitshëm synon të mos lërë në harresë këtë traditë të hershme dhe me vlera duke shprehur mirënjohjen dhe falenderimin tonë për individët, familjet apo bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë ku jetojmë. Vlerësimi dhe stimulimi i një aktiviteti të tillë mbetet i rëndësishëm për dimensionin human dhe ekonomik që ai mbart.

Ftohen të gjithë aktorët shoqërorë në Shqipëri dhe jashtë saj të marrin pjesë me propozimet e tyre për individë dhe subjekte që kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre në të mirë të komunitetit dhe zhvillimit të tij në Shqipëri.

Partnerët Shqipëri inkurajon të bëhen pjesë e këtij konkurimi ata individë dhe biznese të cilët:

•    Tregojnë ndjeshmëri dhe japin kontribut në zhvillimin e komuniteteve lokale, në mbrojtjen e mjedisit, në zhvillimin social e ekonomik.

•    Mbështesin në mënyrë të vazhdueshme ose të paktën prej një periudhe jo më pak se 12 mujore organizata jofitim-prurëse, institucione, komunitete,individë, në ndihmë të një të mire të përbashkët.

•    Ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të ligjshme dhe me standarte etike përkundrejt komunitetit, mjedisit apo personelit të kompanisë që drejtojnë.

•    Demostrojnë rezultate të qarta dhe të matshme të kontributit të tyre, përsa i përket kontributit të dhënë deri në momentin e aplikimit.

•    Kanë një mbulim gjeografik lokal ose kombëtar në aktivitetin e tyre filantropik.

Kategoritë për të cilat mund të bëni propozimet tuaja për Çmimin e Filantropisë janë:

•    Çmimi për Kompani me Kontribut në Nivel Kombëtar

•    Çmimi për Kompani me Kontribut në Nivel Lokal  

•    Çmimi për Kontributin si Individ

Kompanitë dhe individët mund të propozojnë veten ose të nominohen nga të tjerë.

Vlerësimi për propozimet do të bëhet nga një juri me përfaqësim gjithpërfshirës nga sektori i shoqërisë civile, medias dhe institucioneve mbështetëse me programe zhvillimi ekonomik dhe social në Shqipëri.

Çmimet do të shpallen në një aktivitet publik që Partnerët Shqipëri do të organizojë në muajin Dhjetor 2014.  Ky Çmim mbështetet nga Rockefeller Brothers Fund.

Për të dhënë propozimin tuaj, ju lutem tërhiqni formularin pranë zyrave të PSh në adresën: Rruga Sulejman Delvina, N.18, H.8, Ap. 12, Njësia Bashkiake 5, Kodi Postar 1022, Tiranë, Kutia Postare (PO Box) 2418/1, ose shkarkojeni nga faqja e internetit e PSh në këtë link: http://www.partnersalbania.org/formulari_per_cmimin_e_filantropise_2014.doc

Formularin e plotësuar mund ta dorëzoni dorazi ose me postë në adresën e sipërpërmendur, ose me email në adresën: partners@partnersalbania.org

Afati i fundit për dërgimin e propozimeve është data 2 Nëntor 2014!