Partnerët Shqipëri shpall konkursin kombëtar Ide të Gjelbërta 2015!

Qëllimi i konkursit kombëtar “Ide të Gjelbërta 2015” është që nëpërmjet një procesi konkurrues, organizatat e shoqërisë civile, ndërmarrjet sociale apo biznesi i vogël në vend të përfshihet në identifikimin, zgjedhjen, prioritizimin dhe mbështetjen e ideve të gjelbërta inovatore që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm.

Sot një ndër sfidat më të mëdha për ekonomitë mbetet gjetja e formave të reja të organizimit dhe angazhimit të komuniteteve lokale me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm, reduktimin e impaktit negativ në mjedis e për rrjedhojë një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve. Lidhja me tokën dhe burimet lokale po humbet ndërkohë që ndjenja e komunitetit po dobësohet. Futja në tregje e kompanive shumëkombëshe po nxjerr jashtë tij fermerët e vegjël, prodhuesit tradicionalë të punimeve të dorës, produkteve ushqimore duke rritur shkallën e papunësisë dhe varësisë, duke sjellë ndryshime në nivelin social, ekonomik e kulturor. Në këtë kuadër gjykohet se idetë e gjelbëra të individëve dhe kompanive mund të luajë një rol për të motivuar, identifikuar dhe mobilizuar burime për të adresuar në mënyrë strategjike çështje që kanë të bëjnë me humbjen e traditës në prodhim dhe zhvillimin e tregjeve lokale, nëpërmjet stimulimit të ideve të gjelbërta.

Kriteret që duhet të plotësojë ideja që konkuron:

  • Është një ide e gjelbërt që nuk ka filluar të zbatohet apo është në fazë embrionale.
  • Nëse subjekti nuk është një organizatë e shoqërisë civile, sipërmarrja duhet të kategorizohet në nivelin e biznesit të vogël.
  • Projekt-ideja synon zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës dhe/ose rritjen e të ardhurave.
  • Projekt-ideja përputhet me aktivitetin bazë të subjektit që aplikon.
  • Projekt-ideja bazohet tërësisht në përdorimin e burimeve lokale.
  • Projekt-ideja bazohet në një plan të detajuar biznesi dhe është miqësore ndaj mjedisit.
  • Projekt-ideja mobilizon punën dhe ekspertizën e burimeve lokale si dhe vë në shfrytëzim aftësitë e tyre tradicionale.
  • Projekt-ideja ka një plan sesi mund të sigurojë rritjen e aktivitetit.
  • Subjekti që aplikon duhet të tregojë se ka informacion apo ka bërë një vlerësim të tregut lokal që tregon se nevoja ekziston; njeh konkurrentët e tij dhe ideja paraqet avantazhe konkurruese.
  • Projekt-ideja do të mbështesë rivitalizimin e ekonomive lokale të traditës dhe lidhjen midis njerëzve dhe komunitetit.
  • Subjektet që aplikojnë kanë të drejtë të marrin fonde nga ky konkurim, jo më shumë se një herë në dy vjet.

Kush mund të aplikojë:

Organizata të shoqërisë civile, sipërmarrje sociale dhe sipërmarrje të biznesit të vogël.

Për të orientuar subjektet të cilët do të shprehin interes për të aplikuar, Partnerët Shqipëri do të organizojë seminare rajonale orientuese lidhur me procedurat dhe procesin e aplikimit. Në lidhje me kalendarin dhe lokalitetet e seminareve orientuese do t’ju njoftojmë së shpejti.

Kushtet e Financimit:

Granti do të mbështesë projekt-ide të gjelbërta për një afat kohor jo më shumë se sa një vit dhe në shumë jo më të madhe se 800.000 lekë (të reja).
Inkurajohen bashkëfinancime nga burime alternative.

Dokumentat që duhen dorëzuar:

- Projekt propozim i cili ndërtohet dhe adreson të gjitha kriteret e lartëpërmendura;
- Një plan biznesi i detajuar i projekt-idesë;
- Një dokument që vërteton statusin ligjor të subjektit që aplikon (p.sh. organizatë jo-fitimprurëse apo biznes)

Procesi i përzgjedhjes:

Procesi i përzgjedhjes do të realizohet nga një juri ekspertësh, profesionistë të fushës së ekonomisë, drejtësisë, mjedisit dhe biznesit.

Procesi i vlerësimit do të realizohet në dy faza:
- Faza e parë do të jetë përzgjedhja nga ana e Partnerëve Shqipëri e ideve që plotësojnë kriteret bazë të aplikimit.
- Faza e dytë do të jetë përzgjedhja nga ana e jurisë e tre ideve më të mira bazuar në listën e të përzgjedhurve nga faza e parë, si pjesë e një konkurrimi të hapur publik.

Tre idetë fituese do të bëhen automatikisht pjesë e konkurimit në nivel rajonal të organizuar nga Fondi Rockefeller Brothers dhe Partnerët Shqipëri.

Informacion mbi datat dhe afatet kohore:

Afati i fundit kohor për dorëzimin e aplikimeve është 27 prill 2015!

Aplikimet mund të dorëzohen elektronikisht në adresën partners@partnersalbania.org, ose dorazi dhe me postë në adresën: Partnerët Shqipëri, Qendra për Ndryshim dhe Manaxhim Konflikti, Rr: ”Sulejman Delvina”, N.18, H.8, Ap.12; Njësia Bashkiake 5; Kutia Postare 1022, Tiranë

Partnerët Shqipëri do të nxjerrë një njoftim të dytë për datën e organizimit të konkursit.

Procesi i monitorimit:

Të gjithë fituesit do të hyjnë në një marrëdhënie kontraktuale si pjesë e këtij financimi, ku do të përcaktohen qartë detyrimet në nivel raportimi sipas indikatorëve të përcaktuar në projekt-ide dhe marrëveshjen e financimit.

Formati dhe Gjuha:

Paraqitja e idesë duhet të bëhet në përputhje me kriteret e vendosura në thirrje, bashkangjitur një buxheti të detajuar të kostove. Buxheti duhet të jetë në formën e një plani biznesi ku të paraqiten kostot që kërkohet të mbulohen nga Granti i Ideve të Gjelbërta dhe bashkëfinancimi nëse ka, për periudhën një vjeçare.

Gjuha për paraqitjen e projekt idesë është në shqip.