SHPALLEN FITUESIT E ÇMIMEVE TË FILANTROPISË 2016

fituesit2016

Partnerët Shqipëri organizoi në mbrëmjen e 24 Nëntorit ceremoninë gala ku u shpallën fituesit e “Çmimeve  të Filantropisë 2016”.

Prej vitit 2011 Partnerët Shqipëri organizon këtë konkurs publik mbarë kombëtar, për të vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen e falenderimin për individët, familjet dhe bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë tonë.

Në këtë ceremoni festive që përkoi me 15 vjetorin e krijimit të Partnerëve Shqipëri, morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga qeveria shqiptare, deputetë, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, institucione ndërkombëtare dhe agjenci donatore, përfaqësues të sektorit të biznesit, atij jofitimprurës dhe medias.

Fituesit e Çmimeve të Filantropisë 2016 janë:

Çmimi për Kontribut në Nivel Kombëtar iu akordua Balfin Group, me motivacion:

Për kontributin e gjithëanshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së individëve e komuniteteve, për mbështetjen e ideve inovatore të sipërmarrësve të rinj, për vëmendjen e vecantë të treguar ndaj institucioneve e organizatave që ofrojnë shërbime për fëmijët me sindromën Down, personat me çrregullime të spektrit autik, të moshuarit, e personat me sëmundje terminale, si dhe për ndjeshmërinë e treguar ndaj mbrojtjes së mjedisit. Çmimi u dorëzua nga Znj. Valentina Leskaj, Zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Çmimi për Kontributin si Individ iu akordua Violeta Volumi, me motivacion:
Për ngritjen dhe zhvillimin e infrastrukturës së parë të librit audio shqip në funksion të leximit dhe edukimit të të gjithë komunitetit shqipfolës brenda dhe jashtë Shqipërisë, e veçanërisht të personave që nuk shikojnë. Çmimi u dorëzua nga SH.T. Z. Christoph Graf, Ambasador i Zvicrës në Tiranë.

Çmimi special – Pionieri i Filantropisë iu akordua Familjes Baholli, me motivacion:

Për kontributin e shquar dhe të shumëanshëm dhënë gjatë viteve 1925 – 1935 në mbështetje të zhvillimit ekonomik të qytetit të Elbasanit, dhe promovimit të edukimit të të rinjve dhe të rejave të qytetit nëpërmjet ndërtimit të bibliotekës “Qemal Baholli”. Çmimi u dorëzua nga Znj. Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban.

Çertifikatë Mirënjohjeje iu akordua Sevim Arbana, me motivacion:

Për kontributin e vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në zbutjen e varfërisë dhe në promovimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

Çertifikatë Mirënjohjeje iu akordua “Fundjave Ndryshe”, me motivacion:

Për aktivizmin vullnetar që nxit solidaritetin dhe humanizmin për zbutjen e varfërisë dhe ndihmën ndaj familjeve dhe individëve në nevojë. 

Çertifikatat e mirënjohjes u dorëzuan nga Z.Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.