SHPALLEN FITUESIT E KONKURSIT “IDE TË GJELBËRTA 2017”

fituesit

Partnerët Shqipëri organizuan në datat 25-26 maj 2017 në Tiranë, konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2017”.

Ky është viti i gjashtë që Partnerët Shqipëri organizon këtë konkurs i cili synon të mbështesë nisma biznesi që promovojnë përfshirjen sociale, integrimin, punësimin dhe zhvillimin ekonomik lokal nëpërmjet një qasjeje miqësore ndaj mjedisit.

Risia qëndron në bashkëpunimin dhe krijimin e një fondi të përbashkët të krijuar nga dhurime të kompanive vendase dhe institucioneve donatore ndërkombëtare, me mbështetjen institucionale të Fondit Rockefeller Brothers (RBF).

Gjatë dy ditëve të konkurimit, 22 individë, organizata të shoqërisë civile e sipërmarrje të biznesit të vogël prezantuan projekt – idetë e tyre përpara një jurie ekspertësh, e cila përzgjodhi tre idetë më të mira.

Idetë fituese janë:

“Art Recycling”, ideja e Qendrës Burimore të Alternativave të Zhvillimit, e cila synon ngritjen e një biznesi të vogël për prodhimin dhe shitjen e objekteve/produkteve të ndërtuara me materiale të riciklueshme. Ideja synon gjithashtu krijimin e mundësive për të rinjtë që të trajnohen dhe të mësojnë artin përmes riciklimit, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit për përdorimin e materialeve të riciklueshme.

“Prodhim dhe Tregtim produkte Aroma Therapy”, ideja e Aroma Therapy Albania, një biznes i vogël që synon të krijojë një linjë produktesh kozmetike aroma-terapike autentike shqiptare, të shëndetshme dhe pa kimikate, të prodhuara nga burime natyrore lokale.

“Sofra e Anéve”, ideja e Fondacionit Gjirokastra, e cila synon të zhvillojë ture të turizmit të kulinarisë në Gjirokastër, duke u mbështetur në traditën e pasur të “gatimeve të shtëpisë” dhe produktet e kopështeve. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj ideje synohet nxitja e prodhimit të produkteve bujqësore lokale, diversifikimi i shërbimeve turistike dhe rritja e punësimit.
Secila nga idetë fituese do të mbështetet financiarisht deri në shumën 800.000 lekë. Bashkëfinancues të këtij fondi janë Fondi Rockefeller Brothers, Banka Credins dhe Telekom Albania.

Fituesit gjithashtu do të jenë pjesë e Konkursit rajonal që do të organizohet në Mal të Zi, në korrik 2017, nga Balkan Green Foundation.