THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI NGA ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE

Në kuadër të punës së saj për fuqizimin e kapaciteteve të sektorit jo-fitimprurës, Partnerët Shqipëri fton organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë në programin e saj më të ri që synon të kontribuojë në qëndrueshmërinë financiare të tyre përmes identifikimit të modeleve të reja të biznesit, në funksion të gjenerimit të të ardhurave e rritjes së qëndrueshmërisë financiare.

Ky program do të ndihmojë organizatat për të kuptuar gadishmërinë e tyre në ofrimin e shërbimeve me pagesë, zhvillimin e produkteve dhe monetarizimin e aseteve; identifikimin e mundësive të pa eksploruara më parë apo pak të shfrytëzuara në tregun kombëtar ose rajonal; dhe zhvillimin e strategjive të marketingut e biznesit.

Programi konsiston në:

  • Zhvillimin e katër workshopeve një ditore në çështje lidhur me shërbimet me pagesë, analizën organizative dhe të tregut, zhvillimin e planit të biznesit dhe strategjisë së marketingut si dhe zbatimin e një strategjie shërbimi me pagesë relevante dhe të shëndetshme;
  • Ndjekjen e një programi pesë mujor mentorimi për secilën prej organizatave pjesëmarrëse, për të zhvilluar konkretisht e vënë në zbatim strategjitë e sipërpërmendura;
  • Sesione online këshillimi me ekspertë ndërkombëtarë; dhe
  • Pjesëmarrjen në forume të përbashkëta OJF-biznese të cilat do të kontribuojnë për njohjen e punës së organizatave të shoqërisë civile dhe shërbimeve të tyre, si dhe identifikimin e mundësive konkrete të partneritetit për ofrimin e këtyre shërbimeve.

Procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes së pjesëmarrësve

Programi është i hapur për organizata të shoqërisë civile nga i gjithë vendi, që veprojnë në fushën e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë, respektimit të të drejtave të njeriut, rritjes së aktivizmit dhe pjesëmarrjes qytetare dhe ofrimit të shërbimeve në të mirë të komuniteteve lokale.

Organizatat pjesëmarrëse do të përzgjidhen përmes një procesi konkurrues. Partnerët Shqipëri do t’u ofrojë mundësinë për të përfituar nga ky program dhjetë organizatave, të gatshme për të zhvilluar shërbime me pagesë në funksion të rritjes së qëndrueshmërisë së tyre.

Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar Pyetësorin në këtë link dhe një Letër motivimi ku të shprehet qartë interesi për pjesëmarrjen dhe plani për vënien në zbatim të njohurive dhe aftësive të fituara.

Dergoni me email pyetesorin e plotësuar dhe letrën e motivimit në adresën: opalushaj@partnersalbania.org brenda datës 28 shkurt 2017!

Kalendari i takimeve informuese

Partnerët Shqipëri do të organizojë disa takime informuese ku do të prezantojë më në detaje projektin, ndërhyrjet dhe pritshmëritë konkrete të tij, përkatësisht në:

  • Elbasan, 1 shkurt, në ambientet e Hotel Skampa, ora 10.00
  • Durrës, 2 shkurt, në ambientet e Hotel Arvi, ora 10.00
  • Korçë, 3 shkurt, në ambientet e Hotel Grand, ora 11.00
  • Vlorë, 7 shkurt, në ambientet e Hotel Vlora International, ora 11.00
  • Tiranë, 8 shkurt, në ambientet e Hotel Mondial, ora 10.00
  • Shkodër, 9 shkurt, në ambientet e Hotel Rozafa, ora 10.00
  • Gjirokastër, 14 shkurt, në ambientet e Hotel Çajupi, ora 11.00
  • Tiranë, 15 shkurt, në ambientet e Hotel Mondial, ora 10.00

Projekti “Shoqëri civile financiarisht e qëndrueshme = Shoqëri civile aktive” zbatohet nga Partnerët Shqipëri, në kuadër të Programit “Roli mbikqyrës (Watchdog) dhe advokues i shoqërisë civile”, mbështetur nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.